
Rrëfimi Frymëzues i Shkrimtarës Isida Dervishhasanit- Intervistë me Edlira Cini
- The Artistè Foundation

- Feb 1
- 2 min read
Në një botë ku zëri shpesh merret si i mirëqenë, historia e Isida Dervishhasanit na kujton se fjala mund të jetë shpëtim. Nga një fëmijëri në heshtje, drejt një jete të ndërtuar mbi shkrimin, Isida rrëfen se si pena u bë mjeti i saj për të njohur veten, për të kapërcyer kufijtë dhe për të frymëzuar të tjerët. Në këtë intervistë, ajo ndan udhëtimin e saj mes Shqipërisë dhe Kanadasë, mes sfidave personale dhe forcës së brendshme që e ktheu dhimbjen në art.
Isida, cila është arritja juaj më e madhe në jetë?
Isida Dervishhasani: Arritja ime më e madhe është kalimi nga të qenit analfabete në të qenit shkrimtare. Në Shqipëri nuk kisha zë dhe nuk dija të shprehja veten. Shkrimi më dha mundësinë të tregoj kush jam vërtet.
Si ishte jeta juaj para se të fillonit të shkruanit?
Isida: Askush nuk më njihte plotësisht, as familja ime. Mbaja gjithçka brenda vetes. Nuk kisha mënyrë ta shprehja botën time të brendshme, derisa fillova të shkruaj.
Si reaguan familja dhe miqtë tuaj ndaj shkrimeve tuaja?
Isida: Përmes shkrimit, ata panë “ pas buzëqeshje” (qesh). Filluan të më kuptonin më mirë dhe të njihnin Isidën e vërtetë.
A e konsideroni shkrimin si profesion?
Isida: Jo vetëm si profesion. Edhe pse nuk mund të punoj në fusha të tjera për shkak të aftësisë së kufizuar, shkrimi për mua është pjesë e jetës, jo thjesht punë.
Sa ndikojnë hobet tuaja në krijimtarinë tuaj?
Isida: Shumë. Muzika, filmat dhe serialet janë burime frymëzimi. Tekstet e këngëve janë poezi dhe gjithçka që më pëlqen lidhet me fjalën e shkruar.
Çfarë roli luan Shqipëria në veprën tuaj?
Isida: Shqipëria ka një ndikim shumë të madh. Edhe pse jetoj prej 25 vitesh në Kanada, shpirti im shkruan poezi shqip, edhe kur përdor anglishten.
Çfarë ju sjellin udhëtimet në atdhe?
Isida: Çdo vizitë më mbush me ide për poezi, ese dhe prozë. Kur kthehem në Toronto, i kthej këto ide në shkrime. Shpesh them se pushimet e mia janë gjithmonë punë.
Si e përjetoni lidhjen me Shqipërinë nga larg?
Isida: Jam shumë e lidhur shpirtërisht me Atdheun. Edhe nga Kanadaja, ndjek zhvillimet dhe ndikohem prej tyre.
Si e shihni aftësinë tuaj të kufizuar?

Credit: Isida Dervhishhasani
Isida: E shoh si motivim. Kam qarë shumë pak për këtë gjendje. Më ka shtyrë të bëj gjëra që nuk janë bërë më parë nga një person shqiptar me aftësi të kufizuara.
A ju ka penguar kjo në realizimin e ëndrrave tuaja?
Isida: Jo. Gjithmonë e kam parë veten si një vajzë normale që jeton jetën plotësisht.
Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Isida: Dua të jem zë për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Ata janë shumë të margjinalizuar dhe kanë nevojë për më shumë mbështetje.
Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni lexuesve?
Isida: Që çdo njeri mund të gjejë zërin e vet, pavarësisht vështirësive. Shkrimi më shpëtoi mua dhe më ndihmoi të njoh veten.
Kjo intervistë u publikua edhe në ‘Albanian News’.

Comments